Habit deputeti shqiptar: Këto “prova sekrete” na treguan prokurorët për Saimir Tahirin

Deputeti i PS-së, Ulsi Manja, deklaroi se prokurorët nuk kishin asnjë provë më shumë se një material, pjesë e 416 faqeve të bëra publike që u publikuan në media.

Sipas Manjës, ky material supozohej të ishte një nga provat sekrete për të cilat prokurorët kërkuan largimin e mediave, pasi përbënin sekret hetimor.

Ai shton se disa materiale i dispononte edhe deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, shkruajnë mediat shqiptare.

“Pasi mbaroi seanca publike kujtova se në seancën me dyer të mbyllura do na vënë në dispozicion prova. Jam befasuar kur prova që ata kishin ishte një material nga ato 416 faqet e bëra publike në media dhe portale që çuditërisht me firmë e kishte Gent Strazimiri, pra një pjesë të këtij materiali e dispononte deputeti i PD” – deklaroi Ulsi Manja në “News 24”.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja ishte njëri prej atyre që qëndroi brenda mbledhjes me dyer të mbyllura në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores, ku kërkohet heqja e imunitetit të ish-ministrit Saimir Tahiri.